Në një prononcim për fshf.org, mesfushori Ylber Ramadani analizoi ndeshjen ndaj Izraelit dhe foli për përgatitjet dhe objektivat e sfidës ndaj Luksemburgut.
Ylber Ramadani u shpreh se këto dy miqësore janë shumë të vlefshme për ndeshjet e shtatorit dhe objektivin për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian.
“Ne e kishim përgatitur ndeshjen për të luajtur në mënyrë ofensive, për të sulmuar më shumë kundërshtarin. Mendoj se në pjesën e parë një pjesë të ndeshjes e kemi bërë shumë mirë, ndërsa në pjesën e dytë ishim pak më larg njëri-tjetrit dhe ata shënuan gol. Trajneri, pas ndeshjes, na tha se kjo ndeshje i shërben atij për ndeshjen e ardhshme, që ta përgatisë sa më mirë. Ai e di se çfarë mungon dhe më pas do të praktikojmë gjëra të tjera.
Atmosfera në skuadër është fantastike. Siç e shikoni, jemi të gjithë bashkë me njëri-tjetrin. Është një atmosferë për të cilën unë gjithmonë mezi pres të vij këtu, pasi shkojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Kjo energji pozitive gjithmonë na ka çuar përpara dhe mendoj se ndeshjen tjetër do ta fitojmë.
Po përgatitemi maksimalisht, sepse duam ta fitojmë ndeshjen dhe të shkojmë me pushime me kokën më të qetë. Këto dy ndeshje na shërbejnë shumë, sepse ne duhet të praktikojmë lojën që kërkon trajneri, për të ardhur në shtator me ide të qarta për ndeshjet e radhës.
Unë them gjithmonë se tifozët janë forca jonë dhe pa ta nuk mund t’i arrijmë objektivat që kemi. U bëj thirrje të vijnë sa më shumë për të na përkrahur, pavarësisht se kush luan në formacion apo kush mungon. Edhe ne lojtarët nuk e shikojmë kurrë këtë gjë. Kur thërret Kombëtarja, gjithmonë kemi qenë larg familjes dhe shumë gjërave të tjera, ndaj shpresoj që të vijnë të na mbështesin dhe të jemi së bashku”, – tha Ylber Ramadani.