Presidenti i Fenerbahçes, Sadettin Saran, është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim pas një procesi gjyqësor që lidhet me akuza për promovimin e basteve të paligjshme.
Vendimi i gjykatës vjen në një moment delikat për gjigantin e Stambollit, vetëm pak ditë para Mbledhjes së Jashtëzakonshme Zgjedhore të Asamblesë së Përgjithshme të klubit, e cila pritet të mbahet këtë fundjavë.
Një gjykatë në Stamboll dënoi Sadettin Saran dhe vëllain e tij, Alan Kenan Saran, me nga dy vjet e gjashtë muaj burg secilin. Dyshja nuk ishte e pranishme gjatë seancës gjyqësore, ndërsa përveç dënimit me burg, ata u gjobitën edhe me nga rreth 10 mijë euro secili.
Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria, gjatë transmetimit të një ndeshjeje futbolli në një platformë mediatike në pronësi të Saran Group, ishin shfaqur reklama që promovonin lojëra të fatit të paligjshme.
Përfaqësuesi ligjor i Federatës Turke të Futbollit kërkoi dënimin e të akuzuarve, ndërsa avokatët mbrojtës kërkuan shpalljen e pafajësisë.
Pas shpalljes së vendimit, këshilltari ligjor i Sadettin Saranit, Serdar Yiğit, reagoi duke theksuar se disa drejtues të Saran Group janë shpallur të pafajshëm në të njëjtin proces.
“E mirëpresim vendimin për klientët tanë që janë drejtues në Saran Group dhe që janë shpallur të pafajshëm”, deklaroi ai.
Avokati shtoi se vendimi ndaj Sadettin Saran dhe Alan Kenan Saran nuk është ende i formës së prerë dhe do të shqyrtohet nga instancat më të larta gjyqësore pas paraqitjes së ankesave.
Për rrjedhojë, çështja mbetet e hapur dhe vendimi përfundimtar do të varet nga procesi i apelimit në gjykatat kompetente.