Mesfushori portugez, Bernardo Silva, raportohet se është shumë pranë transferimit te Real Madrid, duke i dhënë fund aventurës së tij disa vjeçare me Manchester City.
Sipas mediave italiane, futbollisti 31-vjeçar ka arritur një marrëveshje paraprake me klubin madrilen për një kontratë dyvjeçare, e cila përfshin edhe opsionin e zgjatjes për një sezon shtesë.
Drejtuesit e Real Madridit besohet se e shohin Silvën si një përforcim të rëndësishëm për sezonin e ri, falë përvojës së tij të madhe në nivelin më të lartë të futbollit evropian. Portugezi vlerësohet veçanërisht për cilësitë teknike, inteligjencën në lojë dhe aftësinë për të luajtur në disa role të ndryshme, si në mesfushë ashtu edhe në repartin ofensiv.
Nëse transferimi realizohet, Silva do t’i shtonte edhe më shumë cilësi dhe kreativitet skuadrës madrilene, e cila vazhdon të ndërtojë një ekip konkurrues për të gjitha trofetë.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Real Madridi apo nga vetë lojtari. Madje, raportime të mëparshme nga mediat spanjolle kishin sugjeruar se transferimi i Silvës nuk ishte ndër prioritetet kryesore të klubit, çka bën që lajmi të mbetet ende në kuadër të spekulimeve.
Për mesfushorin portugez interesim kishte shfaqur edhe Barcelona, por sipas raportimeve të fundit, Real Madridi duket se ka lëvizur më shpejt për të siguruar shërbimet e njërit prej futbollistëve më të vlerësuar në futbollin evropian.