Trajneri italian, i kritikuar për paraqitjen ndaj Marokut, ka në mendje variacione të tjera për formacionin bazë kundër Haitit.
Carlo Ancelotti përzien “kartat” në prag të ndeshjes me Haitin. Brazili i tij zhvilloi një pjesë të parë shumë të dobët kundër Marokut në ndeshjen e parë të grupit. Ndryshoi në pjesën e dytë, por nuk mjaftoi për të fituar, kështu që ndaj Haitit Seleçao duhet medoemos të marrë 3 pikët për të mos e komplikuar rrugëtimin në Botëror.
Një motiv për të buzëqeshur Ancelotti e ka, pasi Neymar është bashkuar me grupin. Shënuesi më i mirë në historinë e Brazilit konsiderohet një plus mental për gjithë skuadrën. Vetëm prania e tij në fushë ka një efekt për Brazilin, pasi gjeneron ankth për kundërshtarin. Për pjesën taktike me Vinicius dhe Raphinha, Ancelotti ka eksperiencën që t’i menaxhojë.
Mbrojtja u kritikua pas ndeshjes me Marokun, sidomos Roger Ibañez, qendërmbrojtësi që luajti në të djathtë. Në pjesën e dytë ia la vendin Danilos, që nuk bëri ndonjë paraqitje të mirë, por të paktën ruajti pozicionin dhe mbajti më mirë topin. Marquinhos dhe Gabriel u përgjumën pak në rastin e golit të Saibari, duke bërë të dy të njëjtën lëvizje, në vend që njëri të mbulonte thellësinë dhe tjetri të bënte presion. Megjithatë, janë të paprekshëm në qendër. Në të majtë Douglas Santos ishte dinjitoz dhe duhet të konfirmohet.
Casemiro pati shumë vështirësi fizike në mesfushë. Mediet braziliane e kritikuan për pakujdesinë taktike. Është besnik i Ancelotti-t, por Danilo Santos dhe Fabinho, edhe pse nuk shkëlqyen, bënë diçka më mirë. Bruno Guimaraes është i palëvizshëm.
Me siguri do të lihet jashtë formacionit Paqueta: rrëmujaxhi dhe pak konkret, përtej faktit që luan në një pozicion pak të përshtatshëm për të, nga e djathta në mesfushë.
Në sulm, Igor Thiago pritet të ulet në stol, pasi humbi gati çdo top ndaj Marokut, duke sjellë në kujtesë fantazmën e Fred, titullar në Botërorin 2014. Ancelotti po mendon të eksperimentojë me rolin e Endrick, i kërkuar nga të gjithë në Brazil. Nuk është një sulmues fizik, por ka në gjak talentin tipik të atij që di ta ndezë pshtarin.
Nuk përjashtohet mundësia për një ndryshim të modulit, duke kaluar në 4-3-3. Neymar në qendër, Vinicius majtas dhe Raphinha djathtas, duke e lejuar mesfushën të jetë më e mbuluar. Ndeshja me Haitin mund t’i shërbejë Barazilit të gjejë distancat, masat dhe gjeometrinë në prag të ndeshjeve më të vështira. Botërori nuk fal, sidomos me fanellën më të rëndë të futbollit në botë.