Çekia nuk ka arritur të ruajë epërsinë dhe është detyruar të pajtohet me një barazim 1-1 ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Botës.
Evropianët e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme takimin, duke kaluar në avantazh që në minutën e gjashtë falë golit të Michal Sadilek, transmeton lajmi.net.
Goli i hershëm u dha kontrollin çekëve, të cilët për pjesën më të madhe të ndeshjes mbajtën rezultatin në favorin e tyre.
Megjithatë, Afrika e Jugut nuk hoqi dorë dhe vazhdoi të kërkonte golin e barazimit.
Përpjekjet e saj u shpërblyen në minutën e 83-të, kur Teboho Mokoena u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke rikthyer ekuilibrin në rezultat.
Pas këtij barazimi, të dyja kombëtaret numërojnë nga një pikë pas dy ndeshjeve të zhvilluara në Grupin A.
Situata në grup mbetet e ndërlikuar për Çekinë dhe Afrikën e Jugut, të cilat rrezikojnë të mbesin jashtë fazës me eliminim direkt, pasi Meksika dhe Koreja e Jugut kryesojnë grupin me nga tri pikë secila./lajmi.net/