Monday, 22. June 2026
Sport

Kepi i Gjelbër e ka seriozisht, frenon edhe Uruguain! Egjipti përmbys Zelandën e Re

GS 22/06/2026 2 Min. Lesezeit

Afrikanët bëjnë surprizën e dytë pas asaj me Spanjën dhe ëndrra botërore vazhdon. Gol dhe asist për Salah, egjiptianët marrin fitoren e parë.

Barazimi i dytë për Uruguain në Botërorin 2026. Pas 1-1 kundër Arabisë Saudite, skuadra e trajnerit Marcelo Bielsa nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 ndaj Kepit të Gjelbër në Grupin H. Afrikanët, protagonist me atë paraqitje shumë të mirë ndaj Spanjës, kanë befasuar edhe Uruguain, duke konfirmuar momentin e shkëlqyer.

Kevin Pina është autori i golit të parë historik për Kepin e Gjelbër në një Kupë Bote. Mesfushori surprizoi Muslera direkt nga goditja e dënimit, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Uruguai reagoi dhe në fundin e pjesës së parë shënoi dy herë me Maxi Araujo.

Në pjesën e dytë amerikanojugorët shpërdoruan shumë raste dhe u ndëshkuan nga një gabim i Mathias Olivera dhe portierit Muslera, të cilët i dhanë mundësinë Hugo Varela të barazonte 2-2. Uruguai mbetet pa fitore dhe duhet të marrë patjetër pikë ndaj Spanjës për të evituar eliminimin. Kepi i Gjelbër mban gjallë shpresat e kualifikimit me këtë barazim.

Egjipti mundi 3-1 me përmbysje Zelandën e Re në Grupin G, në ndeshjen e luajtur në Vankuver, Kanada. Në fillim shënoi Surman për Zelandën e Re. Në pjesën e dytë Ziko, Salah dhe Hassan i çuan shifrat në 3-1, duke i dhënë Egjiptit fitoren e parë.

Teilen: