Monday, 22. June 2026
Sport

“Ro!”, si lindi britma vikinge e norvegjezëve dhe vozitja virale në Kupën e Botës…

GS 22/06/2026 3 Min. Lesezeit

Ole Frøystad, tifozi që lançoi gjestin, me të cilin i jep ritëm vozitjes vikinge, tashmë shumë popullore në Botëror, shpjegon: “Është një zë bashkimi dhe qetësie në momente të vështira”.

“Ro!”. Nga parlamenti norvegjez në Times Square, nga një shkallë e lëvizshme në Boston në Nord Carolina, ku Norvegjia është grumbulluar për Botërorin, deri në “MetLife Stadium” të New Jersey, ku kundër Senegalit Erling Haaland do të tentojë të shtojë gola e fitore në turneun më të ndjekur në botë, vozitja vikinge është shndërruar në një nga gjestet më virale për tifozët.

Menjëherë ikonike, gjithëpërfshirëse dhe e imituar kudo, edhe pse është një risi e këtij edicioni. Britma e betejës ka marrë një dimension të tillë që as vetë Ole Frøystad, tifozi të cilit i lindi kjo ide, nuk e imagjinonte.

Për sitin norvegjez “VG”, ideatori i britmës së re të betejës për Haaland me shokë prezantohet si “një djalë viking i veriut”. Ai vjen nga Sunmøre, 7 orë me makinë në veri-perëndim të Oslos. Ole Frøystad shpjegon se ka vendosur të përdorë britmën vikinge, që në realitet do të thotë qetësi, si dhe vozitjen për të “krijuar gëzim e bashkim në një botë që po kalon shumë vështirësi”.

Duke parë se si tifozët norvegjezë e kanë pritur gjestin dhe sa viral është bërë ai, sigurisht që ia ka dalë. “Unë isha vetëm një shkëndijë e vogël, – tregon Ole, – janë tifozët norvegjezë ata që e kanë çuar përpara. Pa ata nuk do të ishte e mundur”.

Frøystad të premten udhëhoqi një “flash mob” të tifozëve norvegjezë që kishin pushtuar Times Square në New York, me idenë për të vozitur te shkallët sheshit të famshëm njujorkez, siç kishin bërë te shkallët e lëvizshme në Boston, në videon që kontribuoi për ta bërë “Ro!”-në e tij një fenomen global.

Kur policia tha “Jo”, tifozët norvegjezë u ulën në tokë, afër shkallëve, me Frøystad që diktonte ritmin me tamburo, dhe nisën të vozitnin. Këtë gjë kishte bërë pak orë më parë Storting, parlamenti norvegjez, që jo pa polemika politike, vendosi të voziste për të përshëndetur kombëtaren.

Federata norvegjeze, që para Botërorit i veshi lojtarët si vikingë, e ka përshëndetur si një gjest inkurajimi për Haaland me shokë: “Të gjithë tifozët norvegjezë duhet të çohen në këmbë dhe të vozitin si një anije vikinge”.

Oilberget, grupi zyrtar i tifozëve që ndjek kombëtaren, ka krijuar edhe një bri viking për të bërtitur “Ro!” dhe për të diktuar ritmin e vozitjes në stadium.

Teksa Norvegjia dhe tifozët e saj ëndërrojnë për të shkuar larg në Botëror, në bordin e anisjes së tyre imagjinare vikinge, Frøystad e ka arrtiur objektivin e tij. Gjesti i tij është bërë ritual, që ka bashkuar tifozët norvegjezë dhe i ka bërë pjesë të folklorit botëror, si Tartan Army skocez që në mënyrë paqësore pushtoi Bostonin, apo tifozët japonezë që pastrojnë stadiumin pas ndeshjes. Ëndrra e Frøystad është që Norvegjia të shkojë deri në fund dhe që “Ro!”-në e fundit të këtij Botërori ta bëjnë ata me kupën në duar.

Teilen: