Luka Modric do të luajë sot ndeshjen e tij të 200-të me kombëtaren e Kroacisë, në përballjen ndaj Panamasë në Kupën e Botës 2026.
Në moshën 40-vjeçare – ndërsa në shtator do të mbushë 41 vjet – mesfushori kroat vazhdon të shkruajë histori dhe mbetet një nga figurat më të mëdha të futbollit botëror.
Me këtë paraqitje jubile, Modrić bëhet një nga lojtarët me më shumë ndeshje ndërkombëtare në histori. Në mesin e futbollistëve aktivë në Kupën e Botës, vetëm Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë më shumë paraqitje me kombëtaret e tyre.
Gjysma e këtyre 200 ndeshjeve të Modrićit janë luajtur nën drejtimin e trajnerit Zlatko Dalić.
Udhëtimi i tij me fanellën kroate nisi më 1 mars 2006 në një ndeshje miqësore kundër Argjentinës. Që nga ajo kohë, ai ka marrë pjesë në pesë Kampionate Evropiane dhe pesë Kupa Bote, duke u renditur mes një grupi të vogël lojtarësh që kanë arritur këtë sukses.
Modrić debutoi në Kupën e Botës në vitin 2006, njësoj si Messi dhe Ronaldo.
Megjithatë, ndryshe nga dy rivalët e tij të mëdhenj, ai ka luajtur në pesë edicione, pasi Kroacia nuk arriti të kualifikohej për Botërorin e vitit 2010 në Afrikën e Jugut.
Karriera e tij me kombëtaren është e mbushur me suksese, ku spikat vendi i dytë në Kupën e Botës 2018 dhe vendi i tretë në edicionin e vitit 2022.
Tani ai synon të udhëheqë edhe një herë Kroacinë në skenën më të madhe të futbollit.
E ardhmja e Modrićit mbetet ende e paqartë. Nuk ka asnjë konfirmim nëse kjo do të jetë Kupa e tij e fundit e Botës apo nëse do të vazhdojë karrierën edhe pas turneut. Megjithatë, pavarësisht moshës, ai vazhdon të dëshmojë se ende ka cilësinë dhe energjinë për të konkurruar në nivelin më të lartë.
Përveç arritjeve me kombëtaren, Modrić mban edhe një rekord historik te Real Madrid. Me 28 trofe të fituar, ai është futbollisti më i dekoruar në historinë e klubit madrilen, duke lënë pas emra si Dani Carvajal dhe Nacho Fernández.
Vitrina e trofeve i tij përfshin gjithashtu tituj të shumtë me Dinamo Zagreb, ndërsa në vitin 2018 ai fitoi edhe Topi i Artë, duke ndërprerë dominimin shumëvjeçar të Messit dhe Ronaldos.
Në 200 ndeshje me Kroacinë, Luka Modrić ka ndërtuar një trashëgimi që do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit. Sot, ai feston një tjetër moment historik në karrierën e tij legjendare.