Vllaznia zhvilloi sot ndeshjen e parë miqësore në kuadër të fazës përgatitore në Slloveni, përballë ekipit të NK Olimpija Ljubljana.
Ndeshja përfundoi me fitoren 4-0 të ekipit vendas, ndërsa stafi teknik pati mundësinë të vlerësojë nga afër formën dhe potencialin e grupit në këtë fazë të përgatitjeve.
Miqësorja e radhës për Vllazninë do të jetë ndaj ekipit NK Rudeš, ku pritet të vijojë puna për konsolidimin e skuadrës në prag të ndeshjeve të UEFA Conference League.
Klubi shkodran ka zyrtarizuar edhe afrimin më të ri në skuadër. Mbrojtësi Xhezair Avduli ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me kuqeblutë.
“KF Vllaznia ka kënaqësinë të prezantojë afrimin më të ri në skuadër, Xhezair Avduli, mbrojtësin e majtë 21-vjeçar, i cili bashkohet me kuqeblutë me një kontratë 3-vjeçare.
Avduli vjen si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyer mes klubit tonë dhe KF Arsimi nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Një futbollist i ri, me potencial dhe perspektivë për të ardhmen, që do të jetë pjesë e projektit tonë afatgjatë”, shkruhet në njoftimin e klubit.