Friday, 26. June 2026
Sport

Paradoksi i Botërorit: Austri-Algjeri, ndeshja ku dy kombëtaret mund të kërkojnë të humbasin për t’i ikur shortit me gjigantin evropian

GS 26/06/2026 2 Min. Lesezeit

Kupa e Botës 2026 mund të sjellë një situatë të pazakontë, ku dy kombëtare do të kenë më shumë interes të mos fitojnë sesa të marrin tri pikët.

Në Grupin J, Austria dhe Algjeria kanë siguruar praktikisht kalimin në fazën e 32 skuadrave pasi të dyja mposhtën Jordaninë, ndërsa Argjentina ka siguruar vendin e parë në grup. Përballja mes Austrisë dhe Algjerisë, që zhvillohet të shtunën, më 27 qershor, në Kansas City, do të përcaktojë renditjen finale të grupit, transmeton lajmi.net.

Megjithatë, për shkak të skemës së fazës me eliminim direkt dhe rregullave të reja të FIFA-s, vendi i dytë në Grupin J pritet të përballet me Spanjën në raundin e 32 skuadrave, ndërsa vendi i tretë ka gjasa të ndeshet me Zvicrën.

Ky skenar krijon një paradoks të rrallë: Austria mund të ketë interes të humbasë për të përfunduar e treta në grup, ndërsa Algjerisë mund t’i mjaftojë një barazim ose edhe një humbje për të mbetur në vendin e tretë, në varësi të renditjes përfundimtare të skuadrave të vendeve të treta.

Situata ka rikthyer në kujtesë diskutimet për ndeshjet “me interes të përbashkët”, të ngjashme me rastin famëkeq të Botërorit 1982 mes Austrisë dhe Gjermanisë Perëndimore, i njohur si “Turpi i Gijónit”, kur rezultati favorizoi eliminimin e Algjerisë.

Formati i ri me 48 skuadra, ku në fazën me eliminim direkt kualifikohen edhe tetë ekipet më të mira të vendeve të treta, ka krijuar për herë të parë mundësinë që renditja përfundimtare në grup të mos e bëjë gjithmonë më të favorshme përfundimin në vendin e dytë./lajmi.net/

Teilen: