Monday, 29. June 2026
Sport

Vinicius Jr trondit me deklaratën: Lufta ime kundër racizmit vlen më shumë se çdo gol që shënoj

GS 29/06/2026 3 Min. Lesezeit

Ylli i Brazilit, Vinicius Junior, ka deklaruar se beteja e tij kundër racizmit ka më shumë rëndësi sesa çdo arritje që mund të realizojë në fushën e futbollit.

Sulmuesi i Real Madridit ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Kupës së Botës 2026, duke realizuar katër gola në tri ndeshjet e para të Brazilit.

Ai shënoi një herë ndaj Marokut, një gol tjetër kundër Haitit dhe ishte autor i dy golave në fitoren ndaj Skocisë, duke u renditur mes golashënuesve më të mirë të turneut.

Megjithatë, 25-vjeçari beson se ndikimi i tij jashtë fushës është shumë më i rëndësishëm.

“Ato që arrij jashtë fushës janë shumë më të rëndësishme sesa ato që arrij brenda saj, sepse në këtë mënyrë ndihmoj shumë më tepër njerëz”.

Vinicius pranoi se futbolli ka ende shumë punë për të bërë në luftën kundër racizmit, por shpreson që brezat e ardhshëm të rriten në një ambient më të drejtë.

“Sigurisht që përparimi është i ngadaltë, por shpresoj të vazhdojë, në mënyrë që brezi i ardhshëm të mos vuajë. Kam një vëlla shtatëvjeçar dhe shpresoj që ai të mos përballet kurrë me racizëm”.

Yjet që ndezën Botërorin 2026 – publikohet 11-shja më e fortë e fazës së grupeve

“Dua të arrij gjëra të mëdha në fushë, por edhe të vazhdoj të frymëzoj të rinjtë me ngjyrë, të cilët nuk kanë zërin që kam unë”.

Duke folur për Kombëtaren e Brazilit, Vinicius u shpreh i bindur se kjo gjeneratë ka potencialin për t’i sjellë vendit titullin e gjashtë të botës.

“Kjo është një gjeneratë që lufton fort për ta rikthyer Brazilin në majë. Ylli i gjashtë po vonon shumë, por kemi mësuar shumë gjatë viteve të fundit”.

Lidhur me paraqitjet e tij të shkëlqyera në Botëror, Vinicius zbuloi se kishte punuar gjatë gjithë sezonit për të mbërritur në formën më të mirë të mundshme.

“E thashë edhe para nisjes së turneut se isha në formën më të mirë teknike, fizike dhe psikologjike. Kam punuar shumë gjatë sezonit për të qenë 100 për qind gati”.

“Nuk pata asnjë dëmtim dhe nuk humba asnjë ndeshje me Real Madridin. Sa më shumë punon, aq më shumë fat krijon”.

Në fund, braziliani tregoi edhe një moment argëtues, duke zbuluar se goli me kokë ndaj Skocisë erdhi pas një basti me një nga trajnerët e stafit teknik të Brazilit.

“Nuk shënoj zakonisht me kokë. Sot kisha vënë bast me një nga trajnerët. Në gjithë karrierën time kam shënuar vetëm dy ose tre gola me kokë. Tani do të më duhet të zgjedh dhuratën”.

Teilen: