Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se ka nisur zyrtarisht procesin e hartimit të Strategjisë së re të zhvillimit, dokument që do të përcaktojë drejtimin strategjik të futbollit kosovar nga viti 2027 e tutje.
Në kuadër të këtij procesi, në Kosovë kanë qëndruar për vizitë ekspertët e UEFA, Oleksandr Kucheriavyi dhe Ilija Kitić.
Ata zhvilluan takime pune me presidentin e FFK-së, Agim Ademi, si dhe me koordinatoren për zhvillim të projekteve në FFK, Doruntinë Fetahaj, ku u hodhën hapat e parë për përcaktimin e objektivave dhe prioriteteve të reja strategjike.
Sipas FFK-së, ky proces vjen pas zbatimit me sukses të strategjisë “Themelet e së ardhmes” (2024–2028), e cila ishte planifikuar për një periudhë katërvjeçare, por shumica dërrmuese e objektivave të saj janë realizuar brenda vetëm dy viteve.
Gjatë takimeve, ekspertët e UEFA-s shprehën vlerësim për punën e Federatës së Futbollit të Kosovës, duke theksuar se përmbushja e pothuajse të gjitha objektivave strategjike në një periudhë kaq të shkurtër përbën një arritje të rëndësishme. Sipas tyre, kjo reflekton vizion të qartë, planifikim strategjik dhe përkushtim të vazhdueshëm në zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet.
FFK thekson se, falë këtij progresi, tashmë është krijuar baza për një cikël të ri zhvillimor. Në bashkëpunim me UEFA-n ka nisur puna për hartimin e strategjisë së re, e cila pritet të hyjë në fuqi gjatë vitit 2027 dhe do të përfshijë objektiva të reja për zhvillimin e futbollit në Kosovë, në përputhje me standardet evropiane.
Sipas njoftimit, strategjia e re do të ndërtohet mbi arritjet e deritanishme, me synim zhvillimin e qëndrueshëm të futbollit, rritjen e standardeve dhe forcimin e mëtejshëm të pozitës së Kosovës në arenën evropiane dhe ndërkombëtare, si brenda ashtu edhe jashtë fushës së lojës. /Lajmi.net/