Wednesday, 1. July 2026
Sport

Ademi takohet me klubet e promovuara në rang më të lartë të garave

GS 01/07/2026 2 Min. Lesezeit

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në selinë e FFK-së drejtuesit e klubeve, të cilët kanë arritur të promovohen në një rang më të lartë të garave për edicionin e ri.

Në këtë pritje, presidenti Ademi uroi përfaqësuesit e klubeve për sukseset e arritura dhe i përgëzoi për punën e bërë ndër vite në ngritjen e standardeve sportive dhe organizative, shkruhet në njoftimin e FFK-së, përcjell tëvë1.info.

Ademi u shprehu suksese në Superligë FC Vushtrria dhe FC Feronikeli 74, pastaj FC Mitrovica dhe FC Lepenci në Ligën e Parë, FC Dardana 10 dhe FC Istogu 03 në Ligën e Dytë, FC 2 Korriku në Superligën e vajzave dhe FC Policia dhe FC Rahoveci në Superligën e futsallit.

Presidenti Ademi theksoi se ky promovim është rezultat i një pune të gjatë, përkushtimit të vazhdueshëm dhe besimit në projektet sportive që secili klub ka ndërtuar ndër vite. Sipas tij, këto suksese dëshmojnë qartë se puna e mirë, organizimi profesional dhe vizioni i qëndrueshëm sportiv gjithmonë shpërblehen me rezultate konkrete.

Ai gjithashtu u shpreh se FFK do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e klubeve dhe ngritjen e nivelit të garave në të gjitha kategoritë, me qëllim avancimin e mëtejshëm të futbollit dhe futsallit në Kosovë.

 

 

Teilen: