Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përkujtuar 36-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, duke e cilësuar atë si një nga datat më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Ademi vlerësoi se akti i 2 Korrikut përbënte një pikë kthese në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë.
“2 Korriku 1990 mbetet një nga datat më të rëndësishme në historinë e re të Kosovës. Në këtë ditë, delegatët e Kuvendit të Kosovës, duke vepruar me guxim dhe përgjegjësi në rrethana të jashtëzakonshme, shprehën vullnetin politik të qytetarëve për liri, barazi dhe vetëvendosje”, ka shkruar Ademi.
Ai theksoi se Deklarata Kushtetuese, e miratuar nën presionin e regjimit të atëhershëm serb, hodhi themelet e proceseve që çuan drejt krijimit të shtetit të Kosovës.
Me rastin e 36-vjetorit, Ademi shprehu respekt për delegatët e Kuvendit të Kosovës dhe të gjithë veprimtarët që, sipas tij, kontribuuan me vizion, përkushtim dhe sakrificë në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
Në emër të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe në emrin e tij personal, ai uroi qytetarët për këtë përvjetor, duke theksuar se 2 Korriku duhet të shërbejë si udhërrëfyes për ndërtimin e një Kosove më të fortë dhe më të suksesshme.
“Urime 2 Korriku! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!”, përfundoi Ademi. /Lajmi.net/