Argjentina ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/8 së finales të Botërorit, por vetëm pas një përballjeje tejet të vështirë ndaj Cape Verdes, e cila u mbyll me rezultat 3:2 pas vazhdimeve.
Kampionët në fuqi konsideroheshin favoritë absolutë, por përballë një Cape Verdeje që ka qenë një nga surprizat më të mëdha të turneut, u detyruan të luftojnë deri në minutat e fundit për të siguruar avancimin, transmeton lajmi.net.
Ndeshja nisi mirë për Argjentinën, e cila kaloi në epërsi në minutën e 29-të falë golit të Lionel Messit. Megjithatë, Cape Verde reagoi në pjesën e dytë dhe barazoi shifrat në minutën e 59-të me Deroy Duarte, duke e çuar sfidën në vazhdime pas rezultatit 1:1 në kohën e rregullt.
Në minutën e 92-të, Lisandro Martínez riktheu epërsinë për “Albicelestët”, por rezistenca e Cape Verdes vazhdoi, pasi Kopes Cabral realizoi për 2:2 në minutën e 103-të.
Goli vendimtar erdhi në minutën e 111-të, kur Diney Borges devijoi topin në portën e tij, duke i dhënë Argjentinës fitoren 3:2.
Cape Verde pati edhe disa raste për të barazuar sërish rezultatin në minutat e mbetura, por nuk arriti të konkretizonte, duke i dhënë fund rrugëtimit të saj historik në këtë Botëror.
Përfaqësuesja afrikane largohet me kokën lart, pasi siguroi kualifikimin nga faza e grupeve pas barazimeve ndaj Spanjës, Uruguait dhe Arabisë, duke u shndërruar në një nga historitë më të bukura të këtij edicioni.
Në fazën e 1/8 së finales, Argjentina do të përballet me Egjiptin./lajmi.net/