Belgjika është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti bindshëm Shtetet e Bashkuara me rezultat 4:1 në Seattle, duke regjistruar fitoren e shtatë radhazi ndaj amerikanëve në përballjet mes tyre.
Me këtë humbje, SHBA-së i shuhet ëndrra për të arritur çerekfinalen për herë të parë që nga viti 2002, ndërsa të tre vendet organizatore të Botërorit eliminohen në fazën e 1/8 së finales.
Belgjika e nisi ndeshjen në mënyrë ideale dhe kaloi në epërsi që në minutën e nëntë. Pas një gabimi në mbrojtjen amerikane, Nicolas Raskin asistoi për Charles De Ketelaere, i cili e dërgoi topin në rrjetë. SHBA reagoi në minutën e 30-të, kur Malik Tillman barazoi me një goditje të fuqishme nga distanca që u devijua në rrugën drejt portës.
Megjithatë, belgët rikthyen menjëherë epërsinë. Vetëm dy minuta më vonë, Leandro Trossard harkoi në zonë, ndërsa De Ketelaere realizoi me kokë për golin e dytë personal dhe rezultatin 2:1 para pushimit.
Në pjesën e dytë, skuadra e Rudi Garcias vulosi fitoren. Në minutën e 57-të, një gabim i portierit Matt Freese u shfrytëzua nga Hans Vanaken, i cili realizoi nga rreth 35 metra për 3:1. Në fund, Romelu Lukaku shënoi një gol të bukur për rezultatin përfundimtar 4:1.
Belgjika tani do të përballet me Spanjën në çerekfinale në Los Angeles, ndërsa eliminimi i hershëm i SHBA-së pritet të shtojë presionin mbi përzgjedhësin Mauricio Pochettino, e ardhmja e të cilit në krye të kombëtares amerikane tashmë është vënë në pikëpyetje.