Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, e nis të martën një tjetër rrugëtim në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.
Drita nga ora 18:00 do të përballet në udhëtim me Kaunas Zhalgirisin e Lituanisë.
Për Dritën është ndeshja e parë në kualifikimet e “Championsit” për edicionin 2026/2027.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, thotë se synimi i ekipit është ta nisë mbarë paraqitjen në Evropë. Ai thotë se kthimi me rezultat pozitiv nga Lituania, është real për Dritën.
Edicionin e kaluar, gjilanasit kishin rrugëtim të suksesshëm në Evropë. E kaluan me sukses raundin e parë të Championsit, kurse u eliminuan në të dytin.
Drita vazhdoi në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës dhe sërish u eliminua. U bart në Ligën e Konferencës, ku kaloi plejofin, fazën e ligës dhe u ndal në plejofin e fazës nokaut.
Mbrojtësi i krahut, Besnik Krasniqi, beson se mund të kthehen me rezultat pozitiv nga Lituania.
Portieri Faton Maloku është më i matur. Por edhe ai beson në rezultat të favorshëm për ndeshjen kthyese. Ndeshja kthyese luhet pas një jave në Prishtinë.
Për kundërshtarin e Dritës, Kaunas Zhalgirisin, është hera e parë që do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.