Një tjetër debat ka shpërthyer rreth FIFA-s dhe trajtimit të pretenduar preferencial ndaj Argjentinës gjatë Kupës së Botës. Shkaku këtë herë ishte vendimi për t’i lejuar Argjentinës të mbante shirit të zi në krah në çerekfinalen ndaj Zvicrës, të fituar 3-1 pas kohës shtesë.
Futbollistët argjentinas e mbajtën shiritin në nderim të Antonio Rattín, ish-mesfushorit legjendar të kombëtares, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare. FIFA miratoi kërkesën e Federatës Argjentinase, por pak ditë më parë kishte refuzuar një kërkesë të ngjashme të Francës, e cila donte të nderonte nënën e trajnerit Didier Deschamps, e ndarë së fundmi nga jeta.
Sipas rregullores së FIFA-s, leja për mbajtjen e shiritit të zi jepet vetëm kur homazhi i kushtohet një figure të lidhur me futbollin, ndërsa nuk parashikohet për raste zie personale ose familjare.
Rattín, ikonë e Boca Juniors për 14 vite, kujtohet edhe për episodin e famshëm në Botërorin 1966 ndaj Anglisë, kur pas përjashtimit nga loja refuzoi fillimisht të largohej nga fusha, duke hyrë në historinë e futbollit.