Ish-basketbollisti i skuadrës së Golden Eagle Yllit, amerikani Kinu Rochford, ka ndërruar jetë në moshën 35-vjeçare pas një incidenti të rëndë me armë zjarri në Harlem të Nju Jorkut.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur të premten mbrëma, në një fushë basketbolli.
Pas një konflikti, ndaj Rochford u shtiu me armë zjarri duke e goditur në kokë.
Ai u dërgua me urgjencë në spital, ku edhe u shpall i vdekur. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë (një 28-vjeçar në këmbë dhe një 22-vjeçare në parakrah), të cilët fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Policia është ende në kërkim të të dyshuarit.
“Ai ishte një mentor për fëmijët këtu, duke u mësuar atyre se si të luanin. Ishte një njeri vërtet i mirë,” u shpreh një mik i tij për mediat lokale.
Rochford kishte një karrierë të gjatë në basketbollin universitar amerikan dhe atë evropian, ndërsa në Kosovë luajti për ekipin e Yllit gjatë vitit 2021.