Luis de la Fuente mbajti dje një konferencë për shtyp ku tregoi disa nga makthet e tij. Komisari teknik i Spanjës pranoi se e bënte nervoz fakti se kishte udhëtuar drejt qendrës stërvitore me një helikopter dhe gjithashtu do të bënte edhe rrugën e kthimit duke fluturuar. “Jam pak nervoz sepse do të kthehemi në hotel me helikopter. Erdhëm këtu me helikopter dhe gjithashtu do të kthehemi po me helikopter për këtë arsye jam nervoz”, tha komisari teknik i Spanjës.
Pyetjet rreth finales së madhe të Nju Xhersit ishin të shumta ndërsa argumenti kryesor kishte lidhje me Leo Messi-n. Në këtë pikë trajneri i Spanjës tregoi një episod që e lidhte me numrin dhjetë të Argjentinës. “Messi-n e njoh shumë mirë. Kur isha trajner i të rinjve të skuadrës së Sevijës e kisha si rival dhe vendosa që t’i caktoja një lojtar për ta markuar. Për 70’ Messi nuk bëri asgjë, por në momentin që unë zëvendësova lojtarin, ai na shënoi katër gola. Për të dielën unë ju them se asnjë lojtar i Spanjës nuk do të ketë detyre specifike të mbulojë Messi-n. Gjithashtu i bëj thirrje Argjentinës që të ruhen prej lojtarëve tanë”, tha 65-vjeçari.