Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, po merr pjesë në aktivitetet e organizuara nga FIFA në prag të finales së Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
FFK ka njoftuar se gjatë ceremonisë së mbajtur në Trump Tower, Ademi është përshëndetur edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, transmeton lajmi.net.
Sipas federatës, Ademi ka zhvilluar takime edhe me drejtues të federatave kombëtare dhe personalitete të futbollit botëror, ndërsa FIFA ka publikuar fotografi të tij në platformat zyrtare, si shenjë e marrëdhënieve të mira me futbollin e Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, po merr pjesë në aktivitetet e organizuara nga FIFA në prag të finales së Kupës së Botës 2026 ndërmjet Spanjës dhe Argjentinës, me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
Gjatë këtyre aktiviteteve, presidenti Ademi ka zhvilluar takime me personalitete të njohura të futbollit botëror e drejtues të federatave kombëtare. Në kuadër të ceremonisë së organizuar në Trump Tower, ai është përshëndetur edhe me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Pjesëmarrja e presidentit Ademi në këto ngjarje të rëndësishme konfirmon edhe një herë pozitën gjithnjë e më të konsoliduar të Federatës së Futbollit të Kosovës në familjen e futbollit ndërkombëtar.
Ndërkohë, FIFA vazhdon të dëshmojë respektin dhe vlerësimin e saj për futbollin e Kosovës, ku ka publikuar edhe fotografi të presidentit Agim Ademi, në platformat zyrtare të saj. Kjo është një tjetër tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera dhe i vëmendjes që institucioni më i lartë i futbollit botëror i kushton Kosovës.
Ky vlerësim është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm, angazhimit institucional dhe punës së përbashkët për zhvillimin e futbollit në vendin tonë. Mbështetja e vazhdueshme e FIFA-s për projektet zhvillimore, përparimin institucional dhe integrimin e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare dëshmon besimin që ky institucion ka ndaj punës së Federatës së Futbollit të Kosovës./lajmi.net/