Tuesday, 21. July 2026
Sport

​Messi: Dhimbja është e madhe, duhet shumë kohë që kjo plagë të shërohet

GS 21/07/2026 2 Min. Lesezeit

Lionel Messi ka reaguar për herë të parë pas humbjes së Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës, duke e përshkruar disfatën si një dhimbje të madhe, por njëkohësisht ka shprehur krenarinë për rrugëtimin e ekipit deri në finalen e dytë radhazi.

Spanja triumfoi 1:0 pas vazhdimeve në finalen e zhvilluar në East Rutherford të New Jerseyt, falë golit vendimtar të Ferran Torresit, duke ia mohuar Argjentinës mundësinë për ta mbrojtur titullin e fituar në Botërorin e vitit 2022.

Në një postim në rrjetet sociale, Messi nuk e fshehu zhgënjimin për humbjen, por falënderoi bashkëlojtarët dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë turneut.

“Dhimbja është e madhe dhe do të duhet shumë kohë që kjo plagë të shërohet. Por do t’i ruaj edhe të gjitha kujtimet e mira, mbështetjen e një vendi të tërë e cila, së bashku me punën e palodhur dhe përpjekjet e kësaj skuadre, na çoi të ishim, edhe një herë, ndër më të mirët në botë”, ka shkruar Messi.

39-vjeçari përgëzoi gjithashtu Spanjën për triumfin, ndërsa theksoi se Argjentina duhet të ndihet krenare për arritjen në dy finale radhazi të Kupës së Botës.

Messi u bë vetëm futbollisti i dytë në histori, pas brazilianit Cafu, që luan në tri finale të Kupës së Botës për meshkuj, pas paraqitjeve në finalet e viteve 2014, 2022 dhe 2026.

Sulmuesi i Inter Miamit mbetet lojtari më i dekoruar në historinë e Argjentinës, duke udhëhequr kombëtaren drejt triumfit në Kupën e Botës 2022, titujve të Copa America në vitet 2021 dhe 2024, si dhe Finalissima 2022. Ai është gjithashtu fitues i tetë Topave të Artë.

“Edhe një herë, ia dolëm të bashkohemi si vend dhe të qëndrojmë të bashkuar, duke ndarë krenarinë e madhe të të qenit argjentinas”, përfundoi Messi.

Teilen: