Tuesday, 21. July 2026
Sport

Luka Modriç edhe një vit me Milanin, kroati do t’i bashkohet ekipit në Australi

GS 21/07/2026 1 Min. Lesezeit

Pritet vetëm zyrtarizimi për rinovimin e mesfushorit ekspert me kuqezinjtë. Në tetor veterani do të tërhiqet nga kombëtarja e Kroacisë.

Në shtëpinë e Milanit është gjithçka gati për të zyrtarizuar qëndrimin e Luka Modriç me fanellën kuqezi. Edhe një vit tjetër kontratë, ndërsa kroati do të bashkohet me skuadrën në Australi për turneun veror.

Sezonin 2026-27 Modriç do të luajë “ekskluzivisht” për Milanin, duke ditur që në fillim të tetorit do t’i japë lamtumirën kombëtares. Futbollisti është ende me pushime, por sinjalet për të ardhmen nuk lënë vend për dyshime.

Më 9 shtator, 3 ditë pas Juventus-Milan, do të mbushë 41 vjeç. Modriç nuk do që imazhet e fundit të një karriere brilante të jenë dështimi për të shkuar në Champions me Milanin dhe zhgënjimi në Botëror i Kroacisë kundër Portugalisë. Ai do një mbyllje ndryshe, pse jo me një trofe me Milanin.

Luka Modriç do të tërhiqet nga kombëtarja kroate më 6 tetor, në ndeshjen e Nations League kundër Spanjës në Split. Ia ka komunikuar vendimin edhe trajnerit Biliç.

Teilen: