Dy futbollistët e Akademisë së FC Prishtinës, Lorik Mehmeti dhe Rin Ahmeti, janë ftuar zyrtarisht nga Paris Saint-Germain (PSG) për të marrë pjesë në një periudhë stërvitore dhe vlerësimi në akademinë e klubit francez.
Lajmin e ka bërë të ditur FC Prishtina, duke njoftuar se kampi do të mbahet nga 27 korriku deri më 9 gusht 2026 në kampusin e PSG-së në Poissy, Francë, transmeton lajmi.net.
Sipas klubit kryeqytetas, ftesa përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për cilësinë, potencialin dhe punën e dy futbollistëve, të cilët do të kenë mundësinë të stërviten dhe të dëshmojnë aftësitë e tyre në një prej akademive më prestigjioze të futbollit evropian.
FC Prishtina thekson se ky zhvillim është rezultat i punës së vazhdueshme në riorganizimin e akademisë së klubit, me fokus në identifikimin, zhvillimin dhe promovimin e talenteve, si dhe në krijimin e një baze të fortë për ekipin e parë.
Klubi vlerëson gjithashtu se ftesa është fryt i bashkëpunimit profesional të ndërtuar me klube të njohura evropiane, ndërsa partneriteti me Paris Saint-Germain dëshmon besimin dhe respektin e ndërsjellë, duke krijuar mundësi konkrete për promovimin e futbollistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.
Në fund, FC Prishtina u ka uruar Lorik Mehmetit dhe Rin Ahmetit suksese gjatë kësaj periudhe stërvitore, duke shprehur bindjen se ata do ta përfaqësojnë me dinjitet klubin dhe futbollin e Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Klubi i njohur francez Paris Saint-Germain (PSG), kampioni aktual i UEFA Champions League, ka ftuar zyrtarisht dy futbollistët e FC Prishtinës, Lorik Mehmetin dhe Rin Ahmetin, për të marrë pjesë në një periudhë stërvitore vlerësimi në Akademinë e PSG-së, e cila do të zhvillohet nga 27 korriku deri më 9 gusht 2026 në kampusin e PSG-së në Poissy, Francë.
Kjo ftesë përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm për cilësinë, potencialin dhe punën e Lorikut dhe Rinit, të cilët do të kenë mundësinë të stërviten dhe të dëshmojnë vlerat e tyre në një nga akademitë më prestigjioze të futbollit evropian.
Njëkohësisht, kjo është dëshmi e riorganizimit që po zhvillohet në FC Prishtina, përmes punës së vazhdueshme në avancimin e Akademisë së të rinjve, identifikimin, zhvillimin dhe promovimin e talenteve, si dhe krijimin e një baze të fortë për fuqizimin e ekipit të parë me futbollistë të dalë nga akademia.
Kjo ftesë është gjithashtu rezultat i bashkëpunimit profesional që FC Prishtina ka ndërtuar me klubet më të njohura evropiane. Bashkëpunimi me Paris Saint-Germain dëshmon besimin dhe respektin e ndërsjellë, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin dhe promovimin e futbollistëve tanë në nivelin më të lartë ndërkombëtar.
FC Prishtina mbetet e përkushtuar që, përmes investimeve në përzgjedhjen dhe zhvillimin e talenteve të rinj, të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme, ku futbollistët e dalë nga Akademia e të rinjve do të jenë shtylla e ekipit të parë dhe ambasadorë të denjë të klubit.
Klubi u uron Lorik Mehmetit dhe Rin Ahmetit shumë suksese gjatë kësaj periudhe stërvitore dhe vlerësimi, me bindjen se do ta përfaqësojnë me dinjitet FC Prishtinën dhe futbollin e Kosovës./lajmi.net/