Monday, 27. July 2026
Sport

Mbappe lëshon letër falenderimi pas Botërorit: “Rrugëtimi ynë së bashku është larg nga fundi”

GS 27/07/2026 3 Min. Lesezeit

Kylian Mbappé ka publikuar një letër falënderimi pas përfundimit të Botërorit, ku ka ndarë një foto si fëmijë para posterit të Thierry Henry-t dhe ka reflektuar për rrugëtimin me Francën.

Në letrën e titulluar “Thank you”, sulmuesi francez pranon zhgënjimin që nuk sollën trofeun kolektiv në shtëpi.

“Na dhemb dhe do të na dhemb për një kohë. Nuk do të pretendoj ndryshe. Jam krenar që fitova Këpucën e Artë, por do të kishte pasur shumë më tepër kuptim me Kupën e Botës pranë saj,” shkruan Mbappé.

Ai falënderon shokët e skuadrës, duke thënë se çmimi u takon edhe atyre, stafin e plotë, nga fizios, kuzhinierët, shoferët, deri te trajneri Didier Deschamps, dhe mbi të gjitha tifozët.

“Shumë prej jush keni ndenjur zgjuar deri vonë, disa thellë në natë, për të na parë nga një oqean larg. U mblodhët në shtëpi, në bare, me familje e miq, në Francë dhe përtej. Të mbështjellë me flamurin francez. Fëmijë me yje në sy. Burra e gra të çdo prejardhjeje, të bashkuar nga gëzimi i thjeshtë i ndarjes së momentit,” shkruan ai.

Mbappé kujton se si fëmijë ëndërronte vetëm të luante në një Botëror, e tashmë ka luajtur në tre, ka fituar një dhe këtë vit pati nderin e madh të jetë kapiten.

Në fund, ai kthehet te thelbi: “Në thelb, futbolli është ende një lojë. Një lojë që e marrim shumë seriozisht, por sërish është një top, një gol dhe dëshira për të shënuar. Kjo është arsyeja pse na bashkon.”

“Kupa e Botës përfundoi, por historia vazhdon. Do të ketë ndeshje të tjera, netë të tjera vere dhe dimri kur do të mblidhemi sërish për këtë lojë, me të njëjtin entuziazëm. Rrugëtimi ynë së bashku është larg nga fundi. Faleminderit për gjithçka,” mbyllet letra e nënshkruar nga ai.

Në moshën 27-vjeçare, me tre Botërorë të luajtur tashmë, Kylian Mbappé e ka ende të gjithë kohën para vetes.

Botërori i ardhshëm në 2030 do ta gjejë vetëm 31 vjeç, në kulmin e pjekurisë si lojtar dhe si lider, ndaj probabiliteti që ai ta udhëheqë sërish Francën është praktikisht i sigurt.

Teilen: