Pas atij barazimi dramatik 3-3 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Rrogozhinë, Egnatia zbret sot sërish në fushë për aktin e dytë ndaj kampionëve të Sllovenisë. Kampionët e Shqipërisë kanë shansin të shkruajnë historinë në fushën e Celje, duke u kualifikuar në raundin e tretë eliminator të Champions League.
Nuk do të jetë aspak e lehtë, por çdo gjë është e hapur dhe skuadra e trajnerit Nevil Dede do të luajë “kartat” e saj. Së pari rrogozhinasit duhet të rregullojnë diçka në prapavijë për të mos pësuar gola aq të lehtë sa në ndeshjen e parë. Pastaj sulmi do të bëjë detyrën e vet, sin ë ndeshjet e deritanishme europiane të kësaj vere.
Egnatia i ka “armët” për të shkruar një faqe të re në historinë e saj. Nëse ia del të kualifikohet, në raundin e tretë eliminator do të ndeshet me fituesin e çiftit Ararat-Shamrok Rovers. Bëhet fjalë për kampionët e Armenisë dhe të Irlandës, nga më të lehtët në short. Në raundin e parë rrogozhinasit eliminuan moldavët e Petrokub.
Ndeshja e sotme kundër Celje starton në orën 20:15 dhe do të gjykohet nga arbitri holandez Kooij.