Kampionia e Kosovës në futboll, Drita ka misionin e qartë për duelin e kthimit kundër Florianas, i cili i takon raundit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.
Pas barazimit 1:1 javën e shkuar në Maltë, skuadra e Dritës kërkon fitoren dhe kualifikimin në raundin e tretë kualifikues të kësaj gare.
Ndeshja e kthimit, Drita – Floriana, zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani në konferencën për shtyp ka insistuar se ekipi i tij është i mobilizuar për ndeshjen e kthimit dhe synon të jetë me konkret para portës së Florianas sesa në duelin e parë.
Në fakt, ndeshja në Maltë zgjati gati tri orë dhe atë shkaku i problemeve me rrymën në stadium, e cila u ndërpre hiq më pak se katër herë.
Megjithatë, te Drita besojnë se do ta kalojnë me sukses raundin e dytë kualifikues dhe se në ndeshjen ndaj Florianas presin edhe përkrahje nga tribunat.
Në rast se Drita kualifikohet në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës, atëherë në këtë raund do të përballet me kundërshtarin nga San Marino, Tre Fiori.