Xhudisti kosovar Akil Gjakova ka bërë të ditur se para tij nis një kapitull i ri në karrierë, rrugëtimi drejt kualifikimit për Lojërat Olimpike, që do të ishte pjesëmarrja e tretë olimpike për të.
Gjakova përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në facebook, ka shprehur krenarinë për rrugëtimin e tij në skenën ndërkombëtare të xhudos, duke theksuar se të qenit pjesë e elitës botërore për rreth 13 vite është rezultat i punës dhe sakrificës së vazhdueshme.
“Para meje nis një tjetër kapitull i madh, rrugëtimi drejt kualifikimit për Lojërat Olimpike, Olimpiada e tretë në karrierën time. Të jem pjesë e elitës botërore të xhudos për rreth 13 vite është një rezultat dhe një arritje që më bën të ndihem krenar për sakrificën, punën dhe rezultatet”, ka shkruar Gjakova.
Ai ka vlerësuar edhe rolin e trajnerit të tij, Driton Kuka, për të cilin thotë se ka qenë figura kryesore në zhvillimin e tij si sportist.
“Trajneri im Driton Toni Kuka është ai që i dha drejtim dhe jetë rrugëtimit tim si sportist”, ka deklaruar xhudisti kosovar.
Gjakova ka falënderuar gjithashtu edhe mbështetësit e tij të parë në karrierë, duke përmendur Drenën si një nga sponsorët dhe përkrahësit e hershëm.
Akil Gjakova synon që përmes ciklit të ri olimpik të sigurojë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, duke vazhduar të përfaqësojë Kosovën në majat e xhudos botërore.