Paris Saint-Germain ka refuzuar dy oferta të Liverpoolit për Bradley Barcolan, pavarësisht se klubi francez është i hapur për largimin e sulmuesit anësor gjatë kësaj vere.
Kampionët e Francës kanë bërë tashmë planet edhe për një sezon pa 23-vjeçarin, i cili ka kontratë me PSG-në deri në vitin 2028. Megjithatë, klubi parisien nuk ka ndërmend të ulë kërkesat financiare për lojtarin.
Sipas raportimeve të L’Équipe, Liverpooli ka paraqitur dy oferta zyrtare për Barcolan. E para ishte në vlerën e 100 milionë eurove, ndërsa e dyta u rrit në 110 milionë euro. Të dyja ofertat janë refuzuar nga PSG, pasi janë konsideruar të pamjaftueshme.
PSG raportohet se kërkon të paktën 160 milionë euro për të dhënë dritën jeshile për transferimin e sulmuesit francez.
Megjithatë, Liverpooli nuk është tërhequr nga gara dhe pritet të rikthehet me një tjetër ofertë për Barcolan në ditët e ardhshme.
Barcola, i cili iu bashkua PSG-së nga Lyon në vitin 2023, mbetet një nga objektivat kryesorë të Liverpoolit në këtë merkato.
Saga mes dy klubeve pritet të vazhdojë, me Liverpoolin që duhet të vendosë nëse do të afrohet me kërkesën e lartë të PSG-së për të siguruar shërbimet e 23-vjeçarit.