Julian Alvarez ka kërkuar një takim urgjent me drejtorin e përgjithshëm të Atletico Madridit, Miguel Ángel Gil Marín, në përpjekje për të shtyrë përpara transferimin e tij te Barcelona.
Sulmuesi argjentinas vazhdon të mbajë qëndrimin e tij për t’u larguar nga Atletico Madridi, pavarësisht se klubi madrilen ka refuzuar ofertën fillestare të Barcelonës prej 100 milionë eurosh.
Sipas ESPN, Alvarez është rikthyer në stërvitje këtë javë, por nuk ka kërkuar falje publikisht apo para shokëve të skuadrës për deklaratat e tij gjatë Kupës së Botës, ku shprehu dëshirën për të ndryshuar ekip.
26-vjeçari pretendon se Gil Marín i kishte premtuar në shkurt të vitit 2026 se do ta lehtësonte largimin e tij nëse do të mbërrinte një ofertë zyrtare. Pikërisht mbi këtë premtim lojtari dhe përfaqësuesit e tij po bazojnë kërkesën për largim.
Alvarez ka zhvilluar gjithashtu një bisedë kokë më kokë me trajnerin Diego Simeone. Edhe pse argjentinasi është informuar se trajneri llogarit në të për sezonin 2026/27, dëshira e tij për t’u transferuar te Barcelona dhe për të luajtur në Camp Nou mbetet e pandryshuar.
Sipas TyC Sports, përfaqësuesit e Alvarez kanë kërkuar zyrtarisht një takim me drejtuesit e Atletico Madridit për të tentuar zhbllokimin e situatës.
Barcelona, ndërkohë, po pret zhvillimet përpara se të vendosë nëse do të paraqesë një ofertë të dytë zyrtare, pasi propozimi i parë prej 100 milionë eurosh u refuzua nga klubi madrilen.
Atletico Madridi vazhdon të mbajë qëndrimin se nuk dëshiron të negociojë shitjen e sulmuesit dhe kërkon që të paguhet klauzola e plotë e lirimit. Megjithatë, Alvarez nuk ka hyrë në grevë dhe vazhdon të përmbushë detyrimet e tij profesionale me klubin.
Përfaqësuesit e argjentinasit pritet të takohen me Miguel Ángel Gil Marín gjatë kësaj fundjave, më 15 dhe 16 gusht, për të diskutuar të ardhmen e lojtarit.
Në rast se drejtuesi i Atletico Madridit refuzon të negociojë, Barcelona do të duhet të vendosë nëse do ta rrisë ofertën financiare apo do të tërhiqet nga gara përpara mbylljes së afatit kalimtar të verës.