David dhe Koopmeiners pritet të largohen dhe Carnevali e Massara duan t’i plotësojnë dëshirën trajnerit Spalletti me dy goditje të rëndësishme.
Juventusi synon të jetë protagonist, fillimisht në merkato dhe pastaj në kampionat. Për ta arritur qëllimin duhen përforcime të qëndrueshme dhe me kualitet. Përveç atyre që kanë ardhur, Carnevali ka edhe dy lojtarë në shenjestër për të kompletuar grupin bardhezi: Kessie dhe Zirkzee. Para se të blihet, duhet bërë ndonjë shitje.
Largimi i Arthur zhbllokon më në fund një situatë që dukej e destinuar të pengonte makinën e merkatos së Juventusit. Klubi do të kursejë mbi të gjitha 4 milionë eurot e pagës së brazilianit, që liron një vend në mesfushë. Kessie është kandidat dhe në Torino e duan. Lojtari është pa kontratë aktualisht dhe shihet si profili i duhur. Ai ka një raport të mirë me Massara-n që nga koha e Milanit.
Mbetet të kuptohet tani cili është momenti i duhur për bisedimet që të dyja palët duan t’i çojnë deri në fund. Në dalje është edhe Koopmeiners, holandezi që nuk ka bindur kurrë. Ardhja e Lucumi e nxjerr jashtë edhe nga bateria mbrojtëse e Spalletti-t.
Në sulm, pas afrimeve të Kolo Muani, Ekhator dhe Alajbegovic, Juventusi kërkon të bëjë edhe një goditje të rëndësishme. Emri kryesor është ai i Zirkzee, që nga ana e tij kërkon rilindjen. Lojtari e njeh mirë kampionatin dhe e ka të qartë se te Manchester United nuk është në qendër të projektit teknik, sidomos pas rikthimit të Rashford.
Por edhe te ky repart Juventusi duhet të bëjë ndonjë shitje, me David emrin e parë në listë. Kanadezi ka një kontratë të lartë, rreth 6 milionë euro, që e mban ende lidhur fort me klubin bardhezi. Ditët e fundit të merkatos gjërat mund të ndryshojnë.