Rafael Leao duket gjithnjë e më pranë largimit nga Milani këtë verë, por koha po kalon dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare për të ardhmen e tij.
Në fillim të verës, sulmuesi portugez kishte shprehur dëshirën për të nisur një aventurë të re, pasi sipas tij kishte arritur gjithçka që dëshironte me fanellën kuqezi. Objektivi i Leao ishte transferimi në La Liga ose Premier League, por deri tani asnjë prej klubeve të synuara nuk ka bërë hapin vendimtar.
Manchester United dhe Arsenal ishin ndër destinacionet e preferuara nga portugezi, ndërsa raportohet se edhe Leeds nuk ka avancuar me interesimin për të.
Më pranë një largimi, Leao ka qenë me Galatasarayn, por edhe kjo pistë është komplikuar për shkak të disa pengesave në negociata, përcjell ORAinfo.
Cardinale takohet me Leao
Në këtë situatë, pronari i Milanit, Gerry Cardinale, pritet të takohet me Rafael Leaon për të diskutuar të ardhmen e tij.
Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, gjatë takimit të dy palët pritet të përsërisin dëshirën e tyre të përbashkët për t’i ndarë rrugët.
Megjithatë, problemi kryesor mbetet gjetja e një zgjidhjeje që të kënaqë të gjitha palët.
Në klub ekziston besimi se situata mund të zgjidhet deri në ndeshjen e parë të sezonit, edhe pse aktualisht gjithçka mbetet e komplikuar.
Më herët ishte raportuar se Cardinale do të zhvillonte takime me disa lojtarë të Milanit për të kuptuar planet dhe dëshirat e tyre për të ardhmen. Por, sipas raportimeve, Leao nuk do ta ketë të njëjtin trajtim.
E ardhmja e portugezit duket tashmë e ndarë nga Milani, por deri në gjetjen e një destinacioni të ri, largimi i tij mbetet një çështje ende e pazgjidhur. /ORAinfo/