Saturday, 22. August 2026
Sport

Vritet ish-kampioni i botës në boks

GS 22/08/2026 3 Min. Lesezeit

Ish-kampioni i botës në dy kategori të ndryshme të peshave, Zolani “Last Born” Tete, është vrarë me armë zjarri në moshën 38-vjeçare në Afrikën e Jugut.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur të premten mbrëma në Mdantsane, në provincën Eastern Cape, derisa boksieri po kthehej në shtëpinë e tij. Tete ishte duke pritur që të hapej porta e oborrit kur ndaj tij u hap zjarr.

Sipas autoriteteve, dy persona të armatosur dhe të maskuar dolën nga një automjet dhe qëlluan drejt veturës së boksierit. Bashkë me të ndodhej edhe një grua 27-vjeçare, e cila gjithashtu u plagos rëndë.

Tete tentoi të largohej nga sulmi duke futur automjetin në oborr, por u godit nga plumbat dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Gruaja që ndodhej me të u dërgua në spital dhe po merr trajtim mjekësor.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit, ndërsa deri më tani nuk ka raportime për arrestime. Motivi i sulmit mbetet ende i panjohur.

Dy tituj botërorë dhe një rekord i jashtëzakonshëm

Tete ishte një nga boksierët më të suksesshëm të Afrikës së Jugut. Ai fitoi titullin botëror të IBF-së në kategorinë junior-bantamweight në vitin 2014, ndërsa më vonë u shpall kampion bote edhe në versionin WBO në kategorinë bantamweight.

Emri i tij u bë i njohur në mbarë botën në vitin 2017, kur Tete nokautoi bashkëkombësin Siboniso Gonya vetëm pas 11 sekondash. Ky rezultat mbetet një nga nokautet më të shpejta në historinë e një meçi për titull botëror.

Karriera e tij, megjithatë, pati edhe një periudhë të vështirë. Pas një testi pozitiv për stanozolol, të kryer pas duelit ndaj Jason Cunningham në vitin 2022, Tete u suspendua për katër vjet.

Suspensioni i tij përfundoi më 29 korrik të këtij viti dhe boksieri po përgatitej për rikthimin në ring, me synimin për të vazhduar karrierën profesionale. Sipas raportimeve nga mediat lokale, ai kishte planifikuar që meçin e rikthimit ta zhvillonte më 29 nëntor.

Vdekja e papritur e Tetes ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin e boksit në Afrikën e Jugut. Ai kujtohet si një prej kampionëve më të suksesshëm të vendit dhe një figurë e rëndësishme sportive e qytetit të Mdantsane.

Teilen: