Saturday, 22. August 2026
Sport

“Ndriçojmë Futbollin”, FFK nis projektin për modernizimin e ndriçimit në stadiumet e Kosovës

GS 22/08/2026 2 Min. Lesezeit

Federata e Futbollit të Kosovës ka nisur jetësimin e projektit “Ndriçojmë Futbollin”, përmes të cilit synohet instalimi i sistemeve moderne të ndriçimit në stadiume dhe fusha të futbollit në vend.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë të ditur se projekti ka hyrë në fazën e parë të zbatimit, ndërsa një nga stadiumet tashmë ka zhvilluar ndeshje nën dritën e reflektorëve, transmeton lajmi.net.

Bëhet fjalë për stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ku sonte ndeshja është zhvilluar për herë të parë nën ndriçimin e ri, si pjesë e projektit të FFK-së.

Ademi ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm në procesin e modernizimit të infrastrukturës së futbollit kosovar.

“Sot po shënojmë një tjetër moment të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës së futbollit në Kosovë”, ka shkruar Ademi.

Sipas tij, projekti synon të krijojë kushte më të mira për klubet, futbollistët dhe tifozët, duke e bërë të mundur zhvillimin e ndeshjeve në kushte më moderne.

Në kuadër të fazës së parë, sisteme të reja të ndriçimit pritet të vendosen edhe në stadiumin e Gjilanit dhe në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Kryetari i FFK-së ka theksuar se këto ndërhyrje përbëjnë vetëm fillimin e një procesi më të gjerë, me synimin që stadiumet në Kosovë të kenë infrastrukturë moderne dhe që ndeshjet nën reflektorë të bëhen pjesë e zakonshme e futbollit vendor.

“Po i ndriçojmë stadiumet tona, për ta bërë edhe më të ndritshme të ardhmen e futbollit të Kosovës!”, ka përfunduar Ademi./lajmi.net/

Teilen: