Kampionia e Kosovës në futsal, Drenica Futsal, ka udhëtuar drejt Hungarisë, për të marrë pjesë në garat preliminare të Ligës së Kampionëve.
Klubi nga Skenderaj, për herë të parë në histori do të përfaqësojë Kosovën në UEFA Futsal Champions League dhe është pjesë e grupit D të raundit preliminar, që zhvillohet në Budapest.
Ekipi nga Kosova të martën zhvillon duelin e parë nga ora 16:00 kundër ekipit turk, Sakarya Karasu. Të mërkurën nga ora 16:00 ndeshet me ekipin nga San Marino , SS Murata dhe të premten kundër Ujpestit nga Hungaria nga ora 18:00.
Klubi në facebook ka shkruar se para nisjes drejt Budapestit, Drenica Futsal vizitoi Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Në vendin e sakrificës dhe krenarisë sonë kombëtare, nderuam Komandantin Legjendar Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Nga Prekazi morëm forcën, frymëzimin dhe përgjegjësinë për ta përfaqësuar me dinjitet klubin, Drenicën dhe Kosovën në arenën evropiane”, ka shkruar klubi.