Liverpooli ka identifikuar Ismaila Sarr si një nga objektivat kryesorë për përforcimin e repartit ofensiv dhe tashmë ka nisur kontaktet me Crystal Palace.
Sipas Fabrizio Romanos, “Reds” kanë paraqitur një propozim fillestar prej rreth 50 milionë funte, afërsisht 58 milionë euro, për sulmuesin anësor senegalez. Vetë Sarr raportohet se është i hapur ndaj transferimit në “Anfield”.
Lëvizja e Liverpoolit vjen pasi tentativa për të transferuar Yankuba Minteh nga Brighton ka hasur në vështirësi për shkak të kërkesave financiare të klubit.
Ndërkohë, Crystal Palace ka refuzuar tashmë dy oferta të Galatasarayt për Sarr, i cili është shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës londineze që prej transferimit nga Marseille në vitin 2024.
Paraqitjet e tij kanë qenë vendimtare edhe në sukseset e fundit të Palace. Gjatë sezonit të kaluar, 28-vjeçari realizoi 21 gola në 45 paraqitje në të gjitha garat, duke dëshmuar edhe një herë aftësitë e tij në repartin ofensiv.
Shpejtësia dhe aftësia për të dribluar e bëjnë Sarr një profil të përshtatshëm për Liverpoolin, i cili kërkon më shumë alternativa në krahët e sulmit.
Megjithatë, senegalezi nuk është i vetmi emër në listën e “Reds”. Klubi anglez vazhdon të monitorojë edhe Bradley Barcolan e Paris Saint-Germain, por kërkesa prej rreth 140 milionë eurosh për francezin po e vështirëson ndjeshëm një marrëveshje.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse oferta e Liverpoolit do të jetë e mjaftueshme për të bindur Crystal Palace që të heqë dorë nga një prej lojtarëve të saj kryesorë.