Thursday, 27. August 2026
Sport

Lillestrom-Egnatia në RTSH/ Kampionët sot për grupet e Europa League, edhe Dinamo për historinë

GS 27/08/2026 2 Min. Lesezeit

Mbrëmja e sotme e futbollit europian do të ketë edhe ngjyra shqiptare. Në fushë do të zbresin dy nga skuadrat më të mira të momentit në futbollin tonë, Egnatia dhe Dinamo. E para në Europa League dhe e dyta në Conference League.

Lillestrom-Egnatia starton në orën 19:00 dhe do të transmetohet në ekranin e RTSH. Sfida në Norvegji vlen shumë për kampionët e Shqipërisë, të cilët kanë një bonus psikologjik në anën e tyre, duke qenë se kanë siguruar grupet e Conference League edhe në rast eliminimi.

Ndeshja e parë në Rrogozhinë, e mbyllur në barazim 0-0, tregoi se dy skuadrat nuk kanë diferenca dhe Egnatia është plotësisht në lojë për kualifikimin. Trajneri Nevil Dede nuk ka të gatshëm vetëm mbrojtësin e krahut Haime. Rrogozhinasit shpresojnë që me pak fat të rishkruajnë historinë e tyre dhe të futbollit shqiptar. Në Norvegji gjykon sot portugezi i njohur Pinheiro.

Historinë kërkon edhe Dinamo në Qipro, ku luhet për një vend në grupet e Conference League. Pas barazimit të një jave më parë në Elbasan, kryeqytetasit synojnë të bëjnë surprizën në fushën e Pafos. Blutë deri tani kanë treguar se mund të befasojnë në Europë, siç kanë bërë ndaj Astanës, Aluminij dhe Auda.

Trajneri Ilir Daja, një ekspert i ndeshjeve europiane, e ka sot skuadrën të plotë dhe do të tentojë mrekullinë. Presioni mund të jetë mbi qipriotët dhe te Dinamo duan ta shfrytëzojnë këtë fakt. Një kualifikim i mundshëm ën fazën e grupeve të Conference League do të sillte të ardhura të konsiderueshme për klubin dinamovit. Ndeshja nis në orën 19:00.

Teilen: