Ish-ylli i Juventusit dhe Francës, Michel Platini, ka sulmuar sërish Gianni Infantinon, presidentin aktual të FIFA-s, me të cilin kishte bashkëpunuar te UEFA, kur Platini drejtonte organizatën dhe italo-zvicerani ishte sekretar i përgjithshëm.
Marrëdhënia mes tyre është përkeqësuar ndjeshëm. Platini së fundmi ka bërë kallëzim ndaj Infantinos për “trafik ndikimi”, “shoqatë kriminale me qëllim shpifjen” dhe “shpifje”. Për ish-presidentin e UEFA-s, problemet me Infantinon nuk janë të reja: “Edhe më parë ishte disi i tillë, por kishte dikë mbi vete. Gjithmonë e kam ditur se i pëlqenin shumë paratë dhe pushteti”.
Platini u tregua edhe më i ashpër kur foli për situatën aktuale në FIFA: “Mendoj se futbolli është një festë e mrekullueshme, diçka e rëndësishme. Futbolli janë ndeshjet…, kjo që po bën tashmë Infantino është politikë. Drejtuesit e FIFA-s janë një mikrokozmos njerëzish që e konsiderojnë veten pronarë të futbollit”.
Ai shtoi: “Sidoqoftë, pronarët e futbollit janë Mbappé, Zidane, Maradona… Ata janë thjesht burokratë që arrijnë një pozicion të caktuar, fitojnë lavdi dhe para, ndaj e humbasin toruan. Do të duheshin ish-futbollistët në pozicione drejtuese”.
Për Infantinon, verdikti ishte i prerë: “Infantino ka dështuar, sepse duhet të jetë garantuesi i rregullave të lojës. Ai nuk i ka respektuar ato, ndaj duhet të largohet”.