Mesfushori Kastriot Imeri është larguar nga futbolli zviceran për të vazhduar karrierën në elitën e futbollit të Gjermanisë.
Imeri do të jetë pjesë e skuadrës së Union Berlinit, të cilës i është bashkuar nga Young Boysi, duke bërë kështu një hap të madh në karrierën e tij.
26-vjeçari vlerësohet lart te skuadra gjermane, e cila pret shumë prej Imerit që e sheh si përforcim të rëndësishëm për mesfushën.
Në anën tjetër, Imeri ka thënë se kalimi te Union Berlini është një sfidë e madhe për të, por gjithashtu edhe një mundësi madhështore.
Ai ka shtuar se me padurim pret ta ndihmojë ekipin e ri në arritjen e objektivave, duke shtuar se Bundesliga është njëra prej ligave më të forta në botë.
Imeri në Zvicër ka luajtur edhe për Thunin e Servetten kurse këtë sezon me Young Boysin ka shënuar 1 gol dhe ka bërë 2 asistime në tri ndeshje kampionale.