Pavarësisht se Real Madrid ka transferuar emra me peshë këtë merkato si Bernardo Silva, Marc Cucurella, Ibrahima Konate, apo dhe Yan Diomande, që është transferimi më i shtrenjtë në historinë e klubit, për ish-sulmuesin, Tote (Jorge López Marco), kjo është merkato më e dobët që ka bërë “Los Blancos” në vitet e fundit.
Tote, beson se të sapoardhurit nuk kanë arritur të adresojnë një të metë të dukshme themelore brenda skuadrës. Ai këmbëngul se skuadra e rindërtuar nga Jose Mourinho ka një dobësi të konsiderueshme, që padyshim do të ndikojë gjatë sezonit të ri, në të gjitha kompeticionet ku merr pjesë.
Ish-sulmuesi argumentoi se largimet e dyshes legjendare të mesfushës, Luka Modric dhe Toni Kroos, janë trajtuar në mënyrë katastrofike nga bordi.
“Real Madrid nuk mundet, pas largimit të Modric dhe Kroos, të shkëmbejë talentin me muskuj. Është një gabim nga Real Madrid dhe tranzicioni më i keq që mund të bëhet në histori, është Real Madrid më i panjohur që kam parë në 40 vitet e fundit.
Nuk ka lojtar që ka qenë te Real Madridi që është i keq, është e pamundur. Por ata nuk kanë hierarkinë për të luajtur ose dominuar Evropën. Madridit thjesht i mungon futbolli”, tha Tote.
Ish-lojtari shprehu gjithashtu dyshime serioze mbi rikthimin sensacional të Mourinhos në “Santiago Bernabeu”.
“Mourinho më parë, me gjërat e tij të mira dhe të këqija, kishte energji, por sot nuk e di nëse e ka ende atë. Ai vjen nga shumë ekipe dhe mosha i kap të gjithë, por ajo që ai sigurisht nuk e ka është ekipi që kishte 20 vjet më parë”, shtoi Toti, i ftuar në podcastin e Iker Casillas.