Diego Moreira ka folur për transferimin e tij te Milani, përshtatjen në klubin e ri dhe pozicionin ku preferon të luajë, ndërsa debutimi i tij me fanellën kuqezi pritet me interes të madh.
Diego Moreira ka dhënë më shumë detaje rreth transferimit të befasishëm te Milani, duke rrëfyer edhe emocionet e javëve të para në klubin italian.
Portugezi u bë një nga afrimet e mëdha të Milanit gjatë merkatos së verës. Transferimi i tij erdhi në mënyrë të papritur, pasi më herët nuk kishte pasur raportime të shumta që e lidhnin atë me klubin kuqezi. Operacioni, duke përfshirë bonuset, raportohet se mund të kalojë shifrën e 65 milionë eurove.
Moreira, i cili ende nuk ka debutuar pasi ka qëndruar në stol në dy ndeshjet e para, shpreson të marrë minutat e para së shpejti.
“Ditët e para kanë qenë magjike për mua. Është një eksperiencë e re. Shokët e skuadrës më kanë mirëpritur që nga dita e parë dhe jam ndjerë si në shtëpi që kur kam mbërritur këtu. Ishte e lehtë të përshtatesha”, deklaroi Moreira.
I pyetur nëse është gati për të luajtur, ai u shpreh:
“Jam padyshim gati të luaj dhe thjesht po pres momentin tim. Besoj se trajneri do të më aktivizojë në momentin e duhur, si për të ashtu edhe për mua.”, përcjell ORAinfo.

Preferon krahun e djathtë
Moreira zbuloi gjithashtu pozicionin ku ndihet më mirë në fushë.
“Me mënyrën se si luajmë, preferoj krahun e djathtë. Kam folur me trajnerin për këtë dhe është pozicioni ku ndihem më mirë”, tha ai.
Pse zgjodhi numrin 22?
Portugezi do të mbajë fanellën me numrin 22, një numër i lidhur historikisht me Kaká-n te Milani.
“Numri 7 nuk ishte i lirë, sepse Santi Gimenez ishte ende këtu. Duhej të zgjidhja një tjetër dhe mora 22-shin sepse kjo është mosha ime aktuale”, shpjegoi Moreira.
“Nuk ndiej presion, jam i nderuar”
Milani ka bërë një investim të madh financiar për transferimin e tij, por Moreira thotë se kjo nuk i krijon presion.
“Nuk do të thosha se ndiej presion, por më shumë ndihem i nderuar. Nëse klubi investon kaq shumë para te disa lojtarë, kjo do të thotë se besojnë tek ata. Tani është koha të dëshmoj se kishin të drejtë të besonin tek unë. Do të jap gjithçka në fushë për ekipin dhe tifozët”, u shpreh ai.
“Pse Milani? Nuk mendova dy herë”
I pyetur pse zgjodhi Milanin dhe jo një tjetër klub italian, Moreira ishte i qartë:
“Milani është një nga klubet më të mëdha në Itali dhe kur një klub i tillë tregon interes për ty, nuk mendon dy herë. Kur më thanë se ishin të interesuar për mua, mendova për momentet e mëdha të Milanit. Është një nga klubet më të mëdha në Itali dhe jam shumë i lumtur që jam këtu.”
Transferimi i shpejtë
Sa i përket negociatave, të cilat u mbyllën me shpejtësi, Moreira ia la meritën agjentëve të tij.
“Sinqerisht, nuk më intereson shumë kjo pjesë. Unë jam lojtar dhe agjentët e mi u morën me gjithçka. Ata bënë një punë të shkëlqyer dhe unë jam shumë i lumtur. Si lojtar, shqetësimi im i vetëm është të luaj futboll dhe për këtë arsye jam këtu.”
Objektivi? Së pari suksesi i ekipit
Moreira nuk dëshiron të fokusohet te çmimet individuale, por te rezultatet e Milanit.
“Qëllimi im kryesor është të fitoj ndeshje me ekipin. Objektivat e mi personalë vijnë të dytët. Nëse nuk arrin objektivat e ekipit, nuk mund të marrësh as vlerësim personal. Do të bëj punën time në fushë dhe më pas gjërat do të vijnë vetë.”
Tashmë, e gjithë vëmendja është te debutimi i tij. Moreira shpreson të zbresë së shpejti në fushë dhe të tregojë përse Milani vendosi të investojë një shumë kaq të madhe për të. /ORAinfo/