Friday, 4. September 2026
Sport

FSHF inspekton punimet në Akademinë e Besës, aty kavajasit do të luajnë ndeshjet e kampionatit

GS 04/09/2026 2 Min. Lesezeit

Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi një vizitë inspektuese në fushën e Akademisë së Besës në Kavajë, ku po kryhen ndërhyrjet e fundit për përshtatjen e impiantit me qëllim zhvillimin aty të ndeshjeve të ekipit të Besës në kampionatin e Kategorisë së Parë.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e FSHF-së u njohën nga afër me ecurinë e punimeve dhe ndërhyrjet e realizuara deri më tani për ta bërë fushën të gatshme për organizimin e ndeshjeve zyrtare.

Në impiant janë rikonstruktuar dhomat e zhveshjes, është sistemuar rrethimi i brendshëm i fushës dhe janë përmirësuar pankinat e ekipeve. Paralelisht, po punohet për finalizimin e elementëve të tjerë të nevojshëm për zhvillimin dhe organizimin e ndeshjeve sipas kërkesave të kampionatit.

Një nga ndërhyrjet kryesore që po realizohet aktualisht është vendosja e kullave të transmetimit, të cilat do të krijojnë kushtet e nevojshme teknike për mbulimin televiziv dhe monitorimin e ndeshjeve me sistemin VAR, që do të aplikohet edhe në Kategorinë e Parë gjatë këtij sezoni.

Ka përfunduar ndërkohë vendosja e stolave për spektatorët si edhe rrethimi i jashtëm i kompleksit. Me përfundimin e këtyre ndërhyrjeve plotësohen kushtet e nevojshme infrastrukturore, teknike dhe organizative për zhvillimin e ndeshjeve.

FSHF po ndjek nga afër procesin teksa impianti do të jetë gati në kohë për ndeshjet e Besës në Kategorinë e Parë dhe të ofrojë kushte sa më të përshtatshme për ekipet, zyrtarët e ndeshjes, transmetimin televiziv dhe tifozët.

Përshtatja e fushës së Akademisë së Besës është pjesë e punës së vazhdueshme për përmirësimin e kushteve në impiantet ku zhvillohen garat kombëtare dhe për rritjen e standardeve organizative e infrastrukturore të futbollit shqiptar.

Teilen: