Ruben Amorim ka reaguar ndaj deklaratave të trajnerit të Interit, Christian Chivu, duke bërë të qartë se te Milani nuk kanë nevojë për motivim nga kundërshtarët për të synuar trofetë.
Milani e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme nën drejtimin e Amorimit, duke regjistruar dy fitore në dy ndeshjet e para. Megjithatë, prova e parë e madhe vjen nesër, kur kuqezinjtë do të përballen me Juventusin në transfertë, përcjell ORAinfo.
Përballja konsiderohet si një nga sfidat më të rëndësishme të fillimit të sezonit, ndërsa Strahinja Pavlovic madje e ka cilësuar si një ndeshje me peshën e një sfide për Scudetton.
Nga ana tjetër, trajneri i Interit, Christian Chivu, ka dhënë një tjetër këndvështrim, duke deklaruar se një përballje e tillë ndoshta nuk duhet konsideruar ende si një duel i drejtpërdrejtë për titullin.
I pyetur për këto deklarata në konferencën për shtyp para ndeshjes, Amorim nuk i kushtoi shumë rëndësi fjalëve të Chivut.
“Asgjë. Jam thjesht i fokusuar te ndeshja jonë. Ajo që di është se nëse fitojmë, do të jemi në krye të kampionatit së bashku me dikë tjetër. Nuk kam asgjë për të thënë për këtë”, deklaroi Amorim.
Por trajneri portugez shkoi edhe më tej, duke theksuar se Milani duhet të fokusohet te puna e tij dhe jo te deklaratat e rivalëve.
“Nëse kemi nevojë për fjalët e Chivut për të fituar tituj te Milani, atëherë diçka nuk shkon me ne. E di që është e vështirë për tifozët ta dëgjojnë këtë, por të gjithë ne që e duam klubin duhet të pranojmë se kemi shumë punë për të bërë”, u shpreh ai.
Amorim theksoi gjithashtu se problemi kryesor i Milanit është mungesa e trofeve në vitet e fundit.
“Shqetësimi më i madh është fakti se kemi fituar vetëm dy Scudetto në 20 vite. Nuk kemi nevojë për fjalët e Chivut për të na motivuar. Milani është një klub shumë historik, me shtatë trofe të Champions League, por në 20 vite ka fituar zero Coppa Italia dhe vetëm dy Scudetto. Diçka nuk shkon. Nuk më intereson çfarë thotë Chivu”, përfundoi Amorim. /ORAinfo/