AC Milan kishte përgatitur një listë prej tre objektivash për secilin pozicion që kërkonte të përforconte gjatë merkatos së verës.
Kuqezinjtë zhvilluan një merkato interesante, duke afruar pesë futbollistë për ekipin e parë, rreth gjysmën e numrit të përforcimeve të realizuara një vit më parë.
Klubi italian investoi shuma të konsiderueshme për lojtarë si Gonçalo Ramos, Mario Gila dhe Diego Moreira, me synimin për të përforcuar menjëherë formacionin bazë.
Megjithatë, siç ndodh në çdo merkato, kishte edhe shumë emra që u lidhën me Milanin, por që në fund nuk u transferuan në “San Siro”.
Mes tyre ishin Gonçalo Inácio, Endrick, Brahim Díaz, Konstantinos Karetsas dhe Tiago Gabriel, për të cilët raportohet se pati kontakte dhe negociata, por marrëveshjet nuk u finalizuan, përcjell ORAinfo.
Tre objektiva për çdo pozicion
Sipas gazetarit të MilanVibes, Pietro Balzano Prota, drejtuesit e Milanit kishin përgatitur një strategji të qartë për merkaton.
Klubi kishte hartuar një listë me tre objektiva për secilin pozicion që kërkonte të përforconte.
Në listën e mbrojtësve dhe sulmuesve ishin emra si Mario Gila dhe Gonçalo Ramos, të cilët konsideroheshin ndër prioritetet kryesore të kuqezinjve.
Ndërkohë, për rolin e mesfushorit ofensiv në krah, objektivi numër një ishte Konstantinos Karetsas.
Megjithatë, talenti grek preferoi të transferohej te Borussia Dortmund, duke bërë që Milani të mos e realizonte një prej objektivave të tij kryesorë.
Inácio u kërkua në fund të merkatos
Milan nuk hoqi dorë nga përforcimi i repartit defensiv dhe në fazën e fundit të merkatos iu drejtua Gonçalo Inácion.
Portugezi ishte një prej emrave të vlerësuar nga kuqezinjtë, por marrëveshja nuk u arrit.
Sa i përket Tiago Gabriel, raportohet se mbrojtësi nuk e bindi plotësisht trajnerin Ruben Amorim, çka ndikoi në vendimin për të mos e finalizuar transferimin.
Milani ende e pëlqen Endrickun
Një tjetër emër që vazhdon të jetë në radarët e Milanit është Endrick.
Sipas raportimit, kuqezinjtë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një interes të veçantë për sulmuesin brazilian, por Real Madridi nuk ishte i gatshëm ta lejonte largimin e tij gjatë kësaj merkatoje.
Milan duket se nuk e ka mbyllur dosjen e Endrickut dhe mund të rikthehet në garë në një nga dritaret e ardhshme të transferimeve.
Në klub, ndërkohë, ideja mbetet e qartë: të vazhdohet me të njëjtën strategji dhe të përforcohet skuadra gradualisht në merkatot e ardhshme, duke synuar që çdo repart të ketë alternativa të nivelit të lartë. /ORAinfo/