Raphinha po përjeton një start të jashtëzakonshëm të sezonit 2026/27, duke hyrë në historinë e LaLigës me një statistikë që më parë ishte arritur vetëm nga Lionel Messi.
Ylli i Barcelonës ka realizuar gjashtë gola në katër xhirot e para të kampionatit, një shifër që në shekullin XXI e kishte regjistruar vetëm Messi.
Braziliani e kompletoi këtë seri në fitoren bindëse 5-0 të Barcelonës ndaj Valencias, ku gjeti sërish rrugën drejt rrjetës. Më herët, ai kishte realizuar nga dy gola ndaj Elches dhe Rayo Vallecanos, ndërsa kishte shënuar edhe në përballjen me Athletic Bilbaon.
Një nisje të tillë, me gjashtë gola në katër ndeshje, Messi e kishte arritur dy herë me fanellën e Barcelonës – në sezonet 2012/13 dhe 2013/14.
Tashmë, Raphinha është futur në këtë klub të vogël elitë, pasi ka shënuar në secilën nga katër paraqitjet e tij në kampionat.
Forma e tij e jashtëzakonshme e ka ngjitur gjithashtu në krye të garës për “Pichichi”. Me gjashtë gola, braziliani kryeson listën e golashënuesve, i ndjekur nga Sergio Camello i Rayo Vallecanos me pesë, ndërsa në garë është edhe Kylian Mbappe.
Ajo që e bën edhe më mbresëlënës shpërthimin e Raphinhas është fakti se ai po e arrin këtë produktivitet në një rol të ri. Pas transferimit në Barcelonë në vitin 2022, fillimisht si anësor i djathtë dhe më pas edhe në krahun e majtë, braziliani këtë sezon po përdoret si sulmues qendror nga Hansi Flick.
Deri tani, vendimi i trajnerit gjerman ka rezultuar i qëlluar. Raphinha po shfaqet si një nga armët kryesore të Barcelonës në fazën ofensive dhe, njëkohësisht, ka barazuar një rekord të vendosur nga legjenda e klubit, Lionel Messi.
Sezoni sapo ka nisur, por Raphinha tashmë ka dhënë sinjale të qarta se synon të jetë një prej protagonistëve kryesorë të garës për “Pichichi”.