Edhe pse Michael Olise është nën kontratë me Bayern Munich deri në vitin 2029, te bavarezët nuk janë aspak të sigurt për të ardhmen e francezit. Sinjalet e para u dhanë këtë verë, kur pati një interesim sipërfaqësor nga ana e Real Madridit.
Te Bayern janë të vetëdijshëm, që interesi për Olise nga klubet e tjera të mëdha në afatet e tjera të merkatos, do të jetë shumë i madh dhe intensiv. Ndaj, në këtë situatë, ata nuk mund të jenë të qetë për të ardhmen e Olise, sidomos pa patur një rinovim të kontratës. Synimi është të rinovohet me francezin përtej vitit 2031.
CEO i Bayern Munich, Jan-Christian Dreesen, u pyet së fundmi për të ardhmen e Olise dhe nuk ishte plotësisht i prerë. “Në këtë biznes, dhënia e premtimeve është e ndërlikuar. A do të jemi në gjendje ta mbajmë francezin përgjithmonë? Është një situatë delikate. Do të flasim përsëri për këtë verën e ardhshme,” tha ai për Sport1.
Në lidhje me interesin e përfolur të Real Madridit, Dreesen zbuloi se nuk kishte asnjë ofertë konkrete. “Ishte e pakuptimtë të thoshim se kishim dhjetëra propozime në tavolinë këtë verë. Nuk kishim asnjë të vetme”, pohoi drejtuesi ekzekutiv i bavarezëve.