Wednesday, 9. September 2026
Sport

Kartal i beson Muriqit ndaj Romës

GS 09/09/2026 1 Min. Lesezeit

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi sipas të gjitha gjasave do t’i prijë sulmit të Fenerbahçes në ndeshjen kundër Romës.

Mediumet në Turqi, kanë raportuar se Muriqi do të jetë startues në këtë përballje të Ligës së Kampionëve.

Ditë më parë ishte shkruar se Muriqi do të jetë rezervist kurse Romelu Lukaku startues por trajneri Ismail Kartal ka besim të madh të sulmuesi kosovar.

Në fakt, thuhet se Muriqi është shpresa më e madhe e Fenerbahçes për mundësinë e shënimit në duelin kundër Romës.

Kjo ndeshje i takon xhiros së parë të fazës së ligës, ndërsa luhet të mërkurën nga ora 18:45 në Stamboll, duke vulosur kthimin e Fenerbahçes në Champions pas gati dy dekadave.

Muriqi gjatë kësaj vere u rikthye te skuadra turke dhe në shtatë ndeshje të luajtura deri më tani në të gjitha garat, ai ka shënuar 3 gola dhe ka bërë 1 asistim.

Teilen: