Faza e ligës në Ligën e Kampionëve 2026/27 hyn sonte në ditën e fundit të xhiros hapëse, me gjashtë ndeshje që premtojnë emocione dhe spektakël në arenën evropiane.
Programi i së enjtes nis në orën 18:45, me dy përballje që hapin mbrëmjen. Në Stamboll, Fenerbahce përballet me Romën, në një duel me rëndësi të veçantë për të dyja skuadrat. Klubi turk rikthehet në fazën kryesore të Ligës së Kampionëve pas një mungese të gjatë, ndërsa Roma rikthehet në kompeticionin më prestigjioz evropian për herë të parë që nga sezoni 2018/19.
Në të njëjtën kohë, PSV Eindhoven do të kërkojë një nisje pozitive në shtëpi ndaj Shakhtarit të Donetskut.
Spektakli i madh vazhdon në orën 21:00, kur në fushë zbresin disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit evropian.
Bayern Munich do ta nisë rrugëtimin e tij në këtë edicion ndaj Bodo/Glimt, ndërsa Manchester United do të presë Sabahun e Azerbajxhanit. Për “Djajtë e Kuq”, kjo ndeshje shënon rikthimin në Ligën e Kampionëve pas paraqitjes së fundit në sezonin 2023/24.
Për më tepër, sfida ndaj Sabahut do të jetë një moment historik për klubin anglez, pasi do të zhvillojë ndeshjen e 300-të në historinë e Kupës Evropiane.
Një tjetër moment i veçantë pritet në Itali, ku Como do të bëjë debutimin e tij në garat evropiane. Skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas do të përballet me RB Leipzig, në një mbrëmje historike për klubin italian.
Në ndeshjen tjetër të orës 21:00, Slavia Praha do të kërkojë një start të suksesshëm ndaj Lensit.
Me këto gjashtë përballje, kompletohet xhiroja e parë e fazës së ligës në Ligën e Kampionëve. Pas dy ditësh me përballje të forta dhe shumë emra të mëdhenj në aksion, sonte mbyllet një javë e mbushur me emocionet e kompeticionit më prestigjioz për klube në Evropë.