Ruben Amorim ka rindezur përplasjen e tij të vjetër me ish-yjet e Manchester Unitedit, duke lënë të kuptohet se ata janë të mbërthyer në një epokë të kaluar. Trajneri portugez, i cili së fundmi mori drejtimin e Milanit, beson se kritikat e vazhdueshme nga ish-lojtarët e klubit nuk ishin të lidhura me realitetin modern të futbollit dhe situatën aktuale të “Djajve të Kuq”.
Koha e Amorimit te Manchester United ishte e mbushur me vështirësi, teksa ai tentoi ta rikthente klubin në nivelet e dikurshme. Nën drejtimin e tij, Unitedi regjistroi përfundimin më të dobët në historinë e klubit në Ligën Premier, ndërsa në 63 ndeshje në të gjitha garat arriti vetëm 24 fitore.
Ky rekord u dha material të mjaftueshëm ish-legjendave të klubit si Gary Neville, Roy Keane dhe Paul Scholes për ta kritikuar portugezin, duke qenë se ata ishin mësuar me epokën e artë të viteve 1990 dhe 2000, kur Manchester United fitonte trofe rregullisht.
I pyetur për presionin e drejtimit të një klubi historik, ku ish-yjet komentojnë vazhdimisht situatën, Amorim nuk e fshehu thumbimin ndaj kritikëve të tij nga “Old Trafford”. Ai argumentoi se një pjesë e ish-lojtarëve vazhdojnë ta gjykojnë klubin me standardet e një epoke krejt tjetër.
“Kam qenë në një klub [Manchester United] në të kaluarën me shumë legjenda, dhe ata kanë opinione të forta dhe flasin shumë për gjëra të ndryshme. Ata kanë jetuar në një periudhë që ishte krejtësisht ndryshe”, deklaroi Amorim.
Para shkarkimit të Amorimit, Paul Scholes kishte deklaruar se portugezi nuk ishte “njeriu i duhur” për këtë detyrë dhe se nuk e kuptonte klubin. Në atë kohë, Amorim ishte kundërpërgjigjur duke thënë se legjendat e klubit po e gjykonin situatën aktuale me standardet e së kaluarës.
“Besoj se është normale. Mendoj se është fakt që unë, si trajner i Manchester Unitedit, po dështojmë të arrijmë atë që duhet. Duhet të kishim më shumë pikë, veçanërisht këtë sezon. Prandaj e pranoj natyrshëm”, kishte thënë ai.
“Ndonjëherë ata nuk i kanë të gjitha informacionet dhe e shohin Manchester Unitedin me standardet me të cilat kanë jetuar këtu, kur gjithmonë fitohej. Prandaj është e vështirë për ta ta shohin klubin e tyre në këtë situatë”, kishte shtuar Amorim.