Vigjilja e transfertës në Elbasan ka gjetur Egnatian grupin e plotë të futbollistëve pa llogaritur dëmtimin serioz të Bakayoko. Për momentin Nevil Deden e shqetëson gjendja e Fernandos, por nga ana tjetër trajneri zbulon se ka rikuperuar Bitrin.
“Pas shumë kohësh patëm mundësinë që të kishim me skuadrën një cikël javor të plotë. Besoj se gjithçka po shkon sipas parashikimeve, kemi rikuperuar edhe Bitrin, pas disa shqetësimeve, tani është në 100% e tij. Më shqetëson gjendja e Fernandos. Por grupi dhe lojtarët janë aty gati. Nuk do të rrezikojmë askënd, në momentin që shfaqet problemi më i vogël”, tha Nevil Dede.
Dueli në “Elbasan Arena” vlerësohet maksimalisht nga numri një i stolit të ekipit rrogozhinas edhe pse nuk mohon se kjo do të jetë vetëm një prej shumë pengesave që duhen kaluar për të arritur te titulli. “Shohim larg, pavarësisht objektivi ynë i radhës është që në ndeshjen e Elbasanit të paraqitemi mirë pasi ishte rival i drejtpërdrejtë për titull vitin e kaluar. Egnatia futet gjithmonë në garë për titull. Nuk mund të fshihemi pas gishtit. Në çdo ndeshje nga ne kërkohet maksimumi. Kjo është gjëja më pozitive që kemi, kemi qëllim brenda vetes sonë. Të japim maksimumin dhe të marrim maksimumin nga çdo ndeshje. Në fund fare, mbi të gjitha të respektojmë veten tonë”, tha Dede.